Shpërthim në Memaliaj, i vihet tritoli banesës së administratorit të Qesaratit! 2 autorët erdhën me ‘Range Rover’, i vunë flakën e u arratisën në këmbë

Një shpërthim me lëndë plasëse raportohet të ketë ndodhur në orët e para të ditës së sotme në oborrin e shtëpisë së Administratorit te Njësisë Administrative Qesarat Butjan Kapaj në fshatin Toç në Memaliaj. Butjan Kapaj është gjithashtu anëtar kryesie në Partinë Demokratike.
Nga pamjet filmike ka rezultuar se kanë qenë dy autorë, të cilët kanë zbritur nga një automjet tip “Range Rover”. Policia në njoftimin zyrtar bëri me dije se ata janë larguar nga aksi rrugor “Krahës-Memaliaj” ndërsa në afërsi të fshatit Qesarat kanë djegur automjetin që kanë përdorur dhe më pas janë arratisur në këmbë.
Sakaq, kontrollet në zonë po vijojnë me qëllim kapjen e autorëve si dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi Policise:
Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj”, në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.




