Lufta/ Trump: Do pezulloj bombardimet ndaj Iranit për 2 javë, por të hapin menjëherë Hormuzin! Teherani pajtohet: Tërheqje poshtëruese! Negociatat nisin të premten

Teherani i ka propozuar SHBA-së një marrëveshje me 10 pika, për të cilën Donald Trump thotë se është një “bazë e realizueshme”. Irani thotë se ka arritur fitore të mëdha. Negociatat pritet të nisin të premten në Islamabad.
Vetëm 1 orë e gjysmë para se të skadonte afati për ultimatumin që i kishte vënë Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një hap pas dhe deklaroi se do të pezullojë me dy javë bombardimet dhe sulmet, por me kushtin që Teherani të hapë menjëherë dhe në mënyrë të plotë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Tërheqja e Trump erdhi pas propozimit të Pakistanit, për të shtyrë me dy javë afatin ndaj ultimatumit të vënë ndaj Iranit për arritjen e një marrëveshje, si edhe hapjen e Hormuzit gjatë kësaj periudhe. Në postimin e tij në Truth, Trump shkroi se këtë vendim e mori pas kërkesës së kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif që të pezullonte “forcën shkatërruese që po dërgohej drejt Iranit”.
“Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Field Marshal Asim Munir të Pakistanit, të cilët kërkuan që të pezulloja forcën shkatërruese që po dërgohej sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM i dyanshëm”, shkroi Trump.
Edhe udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei u pajtua me propozimin e Pakistanit, ndërsa televizioni shtetëror iranian e quajti tërheqjen e Trumpit “poshtëruese”. “Ai pranoi kushtet e Iranit për t’i dhënë fund luftës.”, deklaroi televizioni shtetëror iranian, ndërsa ishte edhe vetë Trump i cili bëri me dije se SHBA ka marrë një propozim të “realizueshëm” me 10 pika nga Irani.
“Ne kemi marrë një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet. Pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të mosmarrëveshjeve janë dakordësuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet”, shkroi Trump.
Irani thotë se ka arritur një fitore të madhe dhe i ka detyruar Shtetet e Bashkuara të pranojnë planin e tij me 10 pika, sipas një deklarate nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit. Si pjesë e planit, SHBA-të në parim kanë rënë dakord të heqin të gjitha sanksionet parësore dhe dytësore kundër Iranit, tha këshilli.
Këshilli tha se gjithashtu ka rënë dakord të pranojë pasurimin bërthamor të Iranit dhe të njohë kontrollin e tij të vazhdueshëm mbi Ngushticën e Hormuzit.
“Armiku, në luftën e tij të padrejtë, të paligjshme dhe kriminale kundër kombit iranian, ka pësuar një disfatë të pamohueshme, historike dhe shkatërruese”, thuhet në deklaratë.
Raundi i parë i bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është planifikuar për të premten në Islamabad.
“Ka diskutime rreth bisedimeve ballë për ballë, por asgjë nuk është përfundimtare derisa të njoftohet nga Presidenti ose Shtëpia e Bardhë”, tha për CNN sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhëndri Jared Kushner dhe zëvendëspresidenti JD Vance pritet të marrin pjesë në negociata.




