Rritet ndjeshëm numri i vetëprodhuesve të energjisë në Shqipëri gjatë 2025
Numri i konsumatorëve që prodhojnë vetë energjinë elektrike për nevojat e tyre ka vijuar të rritet ndjeshëm gjatë vitit 2025. Sipas raportit vjetor të Enti Rregullator i Energjisë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka miratuar 1,135 aplikime për statusin e vetëprodhuesit, nga 1,261 kërkesa të paraqitura në total.
Ky tregues përfaqëson një rritje prej 27.96% krahasuar me vitin 2024, duke e çuar në 3,551 numrin total të vetëprodhuesve në rang vendi.
Ligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” u jep mundësi qytetarëve dhe bizneseve të prodhojnë energjinë për përdorim personal, kryesisht përmes burimeve si energjia diellore dhe ajo e erës. Ky model synon uljen e kostove mujore dhe rritjen e pavarësisë energjetike.
Sipas kuadrit rregullator në fuqi, konsumatorët që përfitojnë këtë status mund të instalojnë kapacitete deri në 500 kW, ndërsa energjia e tepërt mund të injektohet në rrjetin e shpërndarjes.
Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e vetëprodhuesve janë subjekte private, që përbëjnë rreth 67% të totalit. Ndërkohë, 31% janë konsumatorë familjarë, ndërsa vetëm 2% i përkasin institucioneve publike dhe jobuxhetore.
Në detaje, deri në fund të vitit 2025 rezultojnë:
- 2,377 vetëprodhues jofamiljarë
- 1,089 vetëprodhues familjarë
- 69 institucione publike (bashki, ministri, shkolla)
- 16 institucione jobuxhetore (ujësjellësa, poliklinika, qendra shëndetësore)
Ky trend konfirmon rritjen e interesit për investime në energji të rinovueshme në Shqipëri, veçanërisht në instalimin e paneleve diellore, si një alternativë ekonomike dhe e qëndrueshme për furnizimin me energji.




