Kanosën 30-vjeçarin në Vlorë dhe i kërkuan 30 000 euro, arrestohen 3 autorët
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Strike”, pas një kallëzimi të bërë nga një 30-vjeçar, i cili pretendoi se ishte kanosur për t’i dhënë një shumë prej 30 000 eurosh dhe më pas i ishte marrë automjeti.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur dje në një lokal në lagjen “Pavarësia”, ku tre shtetas dyshohet se kanë kanosur të riun, duke pretenduar se ai duhet t’u jepte shumën e parave. Më pas, ata i kanë marrë automjetin tip “BMW” dhe janë larguar nga vendngjarja.
Menjëherë pas kallëzimit, u ngrit një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së qytetit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i tre autorëve të dyshuar:
- A. G., 26 vjeç
- M. B., 22 vjeç
- M. H., 29 vjeç
Të tre banues në Vlorë.
Hetimet paraprake dyshojnë se ata, përveç kanosjes, i kanë marrë 30-vjeçarit automjetin e tij në kushtet e presionit, duke u larguar me të.
Gjatë operacionit janë sekuestruar si prova materiale automjeti i përdorur nga autorët, si dhe automjeti që iu mor viktimës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.




