KRONIKËSTAR CHANNEL

E droguan në hotel dhe e lanë të vdiste në rrugë, 19-vjeçarja me origjinë shqiptare humb jetën në Greqi, rëndohet akuza për 3 autorët

Një 19-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Kefaloni të Greqisë, pasi u la e droguar dhe pa ndjenja në mes të sheshit nga tre persona që kishin kaluar mbrëmjen me të.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Argostoli, ku e reja, të cilës mediat greke i referohen si Myrto, u gjet pa ndjenja në orët e para të mëngjesit dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.

Reklama në FieriWeb - “”

Sipas hetimeve, gjithçka nisi në një dhomë hoteli, ku 19-vjeçarja kishte shkuar rreth mesnatës me një 23-vjeçar. Më pas, në dhomë janë bashkuar edhe dy persona të tjerë, mes tyre një 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar shqiptar.

Dyshohet se gjatë natës kanë konsumuar lëndë narkotike, madje sipas dëshmive, kjo ka ndodhur dy herë.

Reklama në FieriWeb - "ARGJENDARI ILIA"

Në një moment, vajza ka humbur ndjenjat. Por në vend që ta çonin në spital, të rinjtë e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë transportuar drejt qendrës së qytetit.

Pamjet e kamerave të sigurisë i kanë zbuluar. Një prej tyre, sportist i peshave të rënda, shihet duke e mbajtur 19-vjeçaren në krahë, ndërsa dy të tjerët e shoqërojnë. Ata e lënë Myrto-n në gjendje të rëndë pranë sheshit dhe largohen.

Reklama në FieriWeb - “PIZZA ITALIA FIER”

Sipas të dhënave, vajza ka qëndruar për një kohë të gjatë në rrugë pa ndihmë, çka dyshohet se i ka kushtuar jetën.

Vendi ku u braktis 19 vjeçarja

Vetëm më vonë është njoftuar ambulanca, e cila e ka gjetur pa ndjenja dhe e ka dërguar në spital, ku mjekët luftuan për rreth një orë për ta rikthyer në jetë, por pa sukses.

Reklama në FieriWeb

Ekspertiza paraprake tregon se shkaku i vdekjes është arrest kardiak, ndërsa priten analizat toksikologjike për të konfirmuar përdorimin e drogës.

Pasi e braktisën në rrugë, tre të rinjtë janë kthyer në hotel dhe kanë pastruar dhomën, ndërsa kanë marrë edhe telefonin e vajzës, në përpjekje për të zhdukur gjurmët. 

Reklama në FieriWeb - "COVIM CAFFE"

Ata janë identifikuar nga policia përmes kamerave dhe tashmë akuzohen për vrasje nga pakujdesia. Të tre djemtë pritet të dalin para gjykatës të premten në orën 10:00, ku do të japin shpjegime për ngjarjen dhe do të përballen me akuzat e reja.

Ndërkohë, familja e 19-vjeçares, me origjinë nga Shqipëria, është në gjendje shoku dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.  Babai i saj ka deklaruar se vajza nuk kishte lidhje me drogën dhe dyshon se mund të jetë ndikuar nga personat që ishin me të.

“Fëmija im nuk ishte i tillë, mund ta kenë ndikuar, mund t’i kenë hedhur diçka, ta kenë bërë të varur prej tyre. Fëmijën tim, nga ora 3 deri në 5, e kishin hedhur në trotuar dhe po jepte shpirt, as qenit nuk i bëhet kështu. Nuk ekzistoj më, mbarova. Një fjalë vetëm: nuk ekzistoj. M’u shemb toka nën këmbë, humba qiellin me yjet mbi kokë. Nuk ekzistoj. Do më shihni pas disa ditësh që s’do ekzistoj më. Vajza ime e vogël, ky filiz, ky engjëll. Fëmija im ishte i pastër, nuk kishte lidhje me drogë dhe me pije. Shkollë dhe shtëpi, ndonjëherë dilte për kafe me shoqet. Gjëra normale. Unë besoj se e mashtruan me qëllim, e morën, i hodhën diçka në pije dhe i ndodhi ajo që i ndodhi. Ishte e hedhur në rrugë. Nga sa tregojnë kamerat dhe nga sa dëgjoj, e morën tre persona, njëri e mbante në krahë, të tjerët e hodhën dhe u larguan” u shpreh babai për mediat greke.

“Unë e njihja atë djalin dhe i kisha thënë vajzës ‘nuk më pëlqen’. Ajo më tha ‘aman mami, çdo gjë të duket gabim’. I thashë ‘nuk dua të të prish qejfin’. Më tha ‘lëre mami, gjithçka e sheh gabim” është shprehur e ëma.

Ndërkohë, trupi i 19-vjeçares Myrto është dërguar në Patra për kryerjen e autopsisë, e cila pritet të hedhë dritë mbi shkaqet e sakta të vdekjes.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Greqi, ndërsa mediat vendase bëjnë një pyetje: nëse Myrto do të ishte dërguar në kohë në spital, a do të ishte sot gjallë?

Related Articles

Back to top button