Protesta e PD në Tiranë/ 11 të arrestuar, 15 nën hetim, 5 policë të plagosur dhe 45 molotovë të sekuestruar
Protesta e zhvilluar më 17 prill në Tiranë, e organizuar nga Partia Demokratike, është shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë e Shtetit, duke sjellë arrestimin e 11 personave, procedimin penal të 15 të tjerëve, si edhe plagosjen e 5 efektivëve të policisë.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se gjatë tubimit disa pjesëmarrës hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit që ishin angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Si pasojë e sulmeve, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë shërbimit. Ata morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, shërbimet policore sekuestruan 45 molotovë, të cilët sipas hetimeve paraprake ishin përgatitur për t’u përdorur më tej kundër institucioneve shtetërore dhe punonjësve të Policisë.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë arrestuan në flagrancë 11 shtetas, të dyshuar për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për 15 shtetas të tjerë, mes tyre edhe dy të mitur të moshës 16 dhe 17 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Po ashtu, materialet iu referuan Prokurorisë edhe për shtetasin K.B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A.K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Policia njofton se grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në aktet e dhunës gjatë protestës.




