Prokuroria Fier dërgon në gjyq 3 zyrtarë të IMT për “Shpërdorim detyre”, dëm mbi 11 milion lekë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre funksionarë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Divjakë, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Të pandehur në këtë çështje janë Romeo Leka, Ilir Kaboçi dhe Sulejman Muça, të cilët kanë ushtruar funksione si kryeinspektor dhe inspektorë pranë këtij institucioni.
Sipas hetimeve të prokurorisë, në të paktën 31 raste të ndërtimit të paligjshëm, për të cilat gjykata ka dhënë vendime të formës së prerë, nuk janë ushtruar përgjegjësitë ligjore për kontrollin e territorit nga ana e inspektorëve të IMT Divjakë.
Po ashtu, është konstatuar se në rastet e kundërvajtjeve administrative nuk është ndjekur procedura ligjore e parashikuar, që përfshin konstatimin e shkeljes, vendosjen e gjobës, prishjen e objektit si dhe referimin për ndjekje penale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se nuk janë ndërmarrë veprime për vjeljen e gjobave brenda afateve ligjore, duke sjellë parashkrimin e tyre dhe krijimin e një dëmi të konsiderueshëm financiar për buxhetin e shtetit dhe atë vendor.
Sipas prokurorisë, dëmi ekonomik i shkaktuar nga mosvjelja e gjobave për periudhën 2021–2022 vlerësohet në rreth 11,170,000 lekë.
Prokuroria Fier thekson se mbetet e angazhuar për të vënë para përgjegjësisë ligjore çdo punonjës të administratës publike që kryen shkelje në ushtrimin e detyrës së tij funksionale.




