Merr fund arratia, arrestohet 38-vjeçari i akuzuar për vrasjen e 41-vjeçarit në Fier

Ka marrë fund arratia e Agim Gashit, 38 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Elton Javorit, ngjarje e ndodhur në qytetin e Fierit në dhjetor të vitit 2023.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë ekzekutuar urdhrin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria Fier ndaj 38-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim prej kohësh.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Fierit kishte caktuar ndaj Agim Gashit masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga hetimet rezulton se më datë 7 dhjetor 2023, në lagjen “16 Prilli” në Fier, Agim Gashi, në bashkëpunim me vëllain e tij Kreshnik Gashi, aktualisht në paraburgim në IEVP Fier, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga Elton Javori, 41 vjeç.
Si pasojë e të shtënave, Javori humbi jetën në vendngjarje, ndërsa autorët u larguan menjëherë pas krimit.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në Fier, ndërsa pas disa muajsh kërkime, policia ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e Agim Gashit. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të çështjes dhe përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.




