Aksident i rëndë në autostradën Lushnjë–Fier, motoçiklisti përplaset nga një automjet. Dërgohet në gjendje kritike në spital

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në autostradën Lushnjë–Fier, në vendin e njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet tip “VW”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa përplasja mes dy mjeteve ka qenë e fortë. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar menjëherë me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me autoambulancë, ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e trafikut dhe disiplinimin e qarkullimit të mjeteve, pasi për disa minuta është krijuar edhe ngarkesë në rrugë.
Lushnjë / Informacion paraprak
Rreth orës 18:25, në aksin rrugor “Lushnjë–Fier”, shtetasi Z. H., 50 vjeç, duke drejtuar automjetin, është përfshirë në një aksident rrugor me një motomjet, me drejtues shtetasin A. T., 28 vjeç.
Si pasojë e aksidentit është dëmtuar drejtuesi i motomjetit, shtetasi A. T., i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.




