Lirohet nga burgu i Fierit reperi Kleviol Ahmeti pas përfundimit të dënimit të dhënë nga gjykata

Reperi i njohur Kleviol Ahmeti, 39 vjeç, është liruar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, pas përfundimit të dënimit që po vuante prej disa muajsh.
Ahmeti ishte arrestuar dhe më pas ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në tetor të vitit 2025, për t’u përballur me drejtësinë shqiptare. Ai akuzohej për veprat penale të përndjekjes dhe thyerjes së masës së sigurisë.
Sipas dosjes hetimore, këto akuza lidhen me një konflikt të mëparshëm me reperin Noizy (Rigels Rajku), ngjarje e cila kishte marrë më herët vëmendje në opinionin publik dhe në media.
Pas përfundimit të dënimit të dhënë nga gjykata, Ahmeti ka lënë ambientet e burgut, ndërsa nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi kushtet e lirimit apo masat e mundshme pasuese ndaj tij.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim shtesë mbi rastin.





