Editorial nga analisti dhe gazetari fierak Petref Velçani:

Çfarë do të thotë “drejtues politik”? Në një demokraci, ky rol kuptohet si pjesë e organizimit dhe përfaqësimit të një force politike. Por çfarë po ndodh sot?
Sipas autorit, drejtues të mazhorancës, nën moton “partia mbi të gjitha”, po ndërhyjnë në mënyrë të tepruar në administrimin qendror dhe vendor. Ai pretendon se situata në Fier është bërë shqetësuese dhe se drejtimi politik po tejkalon kufijtë institucionalë.
Velçani shprehet kritik ndaj drejtueses politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, duke e akuzuar për presion politik dhe kontroll të tepruar mbi jetën publike të qytetit. Në mënyrë satirike, ai përmend edhe krijimin e një strukture imagjinare të quajtur “UCBF” (Ushtria Çlirimtare e Ballukut, Fier).
Sipas tij, pavarësia e pushtetit vendor dhe liria e medias janë shtylla themelore për integrimin europian të vendit. Ai pretendon se në Fier këto parime po cenohen, ndërsa mediat ose kontrollohen, ose sulmohen politikisht.
Në fund të reagimit, Velçani i drejtohet kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar vëmendje ndaj zhvillimeve në Fier dhe duke e cilësuar situatën si alarmante për demokracinë lokale.
E Plotë:
“Çfarë do të thotë “drejtues politik”? Në demokraci kuptohet si pjesë e organizimit të një subjekti politik. Por çfarë po ndodh?
Drejtuesit e mazhorancës, nën moton “partia mbi të gjitha”, po fusin duart dhunshëm në administrimin qendror dhe lokal. Simptomat janë edhe më të rënda se në komunizëm. Po, po. Drejtuesja e Qarkut Fier ka instaluar një lloj fashizmi politik në Fier. E gjendur nën akuza të rënda nga drejtësia, Belinda Balluku po terrorizon Fierin çdo ditë e më shumë. Madje ka zëra se po formon UCBF (Ushtria Çlirimtare e Ballukut, Fier).
Pavarësia e pushtetit lokal dhe liria e mediave janë themelore për integrimin në BE. Pavarësia lokale po cenohet rëndë. Media ose blihet, ose masakrohet me urdhër të saj. Unë jam një nga viktimat e këtij terrori fashist dhe këtë e vërtetoj me fakte.
Lajmet nga Fieri janë të frikshme ditët e fundit. Edi Rama, si kryeministër dhe kryetar i partisë në pushtet, nuk mund të thotë se “po hanë dardha pas kurrizit”. Z. Rama, Balluku po ha lirinë dhe demokracinë në Fier, jo pas kurrizit, por përpara syve tuaj. Kjo është diktaturë.”
Petref Velçani – Gazetar / fieriweb.com




