Operacioni “Transaksioni” në Fier dhe Lushnjë, 3 persona në pranga për këmbim valutor të paligjshëm

Policia e Fierit ka goditur një rast të ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të këmbimit valutor, duke arrestuar në flagrancë 3 shtetas gjatë operacionit të koduar “Transaksioni”.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, organizuan kontrolle në terren dhe verifikime në subjekte të ndryshme për evidentimin e aktiviteteve informale.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga:
- R. K., 64 vjeç, banues në Lushnjë;
- E. Sh., 67 vjeç, banues në Fier;
- A. I., 57 vjeç, banues në Fier.
Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas dyshohet se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor në Fier dhe Lushnjë pa licencën përkatëse nga organet kompetente.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre, policia sekuestroi 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga, 2 500 korona, si dhe 5 telefona celularë, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi E. K., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit iu gjet një shumë e vogël parash e dyshuar si e përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.




