I kërkohet shkarkimi/ Kryetarja e Këshillit Bashkiak Fier jep dorëheqjen
Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme të Këshillit Bashkiak Fier, një nga pikat e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i kërkesës për shkarkimin nga detyra të Kryetares së Këshillit, Antoneta Cunaj.
Gjatë fjalës së saj, Cunaj theksoi se këtë detyrë e ka marrë me përgjegjësi të lartë, pasi është votuar me votim të fshehtë nga të gjithë anëtarët e këshillit, përfshirë edhe përfaqësues të opozitës, duke e cilësuar këtë si një besim të rëndësishëm ndërinstitucional.
Ajo falënderoi të gjithë këshilltarët për bashkëpunimin gjatë mandatit, duke nënvizuar se vendimmarrjet e marra kanë qenë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të Bashkisë Fier dhe janë miratuar pa asnjë problematikë nga Prefekti i Qarkut, pa u kthyer për parregullsi apo pa u përfshirë në procese gjyqësore.
Në vijim, Cunaj bëri të ditur se, duke qenë se kërkesa për shkarkimin e saj është paraqitur nga një pjesë e këshilltarëve socialistë, ka vendosur të mos vijojë me procedurën e votimit të fshehtë, por të japë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra për arsye personale.
Ajo sqaroi se do të vijojë të jetë pjesë e Këshillit Bashkiak Fier si anëtare, duke përfaqësuar forcën politike që e ka zgjedhur.
Në përfundim, Cunaj shprehu mirënjohjen për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Të nderuar këshilltarë,
Siç jeni njoftuar, një nga pikat e rendit të ditës është edhe shkarkimi im nga detyra e Kryetares së Këshillit Bashkiak Fier.
Këtë detyrë unë e kam pranuar duke u votuar jo vetëm nga këshilltarët socialistë, pasi ishte propozim i tyre, por unë jam votuar me votim të fshehtë nga të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak duke përfshirë edhe këshilltarët e opozitës.
Për këtë arsye, siç ma besuat të gjithë ju këtë detyrë, e kisha obligim t’ju drejtohesha të gjithë juve si këshilltarë dhe jo vetëm atyre socialistë, që t’ju falënderoj të gjithëve përzemërsisht për çdo vendimmarrje të drejtë që kemi marrë gjatë këtij mandati, të cilat i kanë shërbyer më së miri zhvillimit ekonomik e social të bashkisë sonë.
Jam krenare se bashku me ju që të gjithë vendimet e marra janë miratuar nga Prefekti i Qarkut dhe asnjë prej këtyre vendimmarrjeve nuk është kthyer për ndonjë parregullsi apo të jetë hapur ndonjë konflikt gjyqësor.
Pa ju të gjithë së bashku, unë nuk do të mundja të realizoja me sukses vendimet e marra, me shumicë dërrmuese të anëtarëve të këtij këshilli.
Duke qenë se kërkesa për shkarkimin tim nga detyra e kryetares së këshillit është kërkuar në këtë mbledhje nga një pjesë e anëtarëve këshilltarë socialistë, unë nuk e quaj të nevojshme të realizohet votimi i fshehtë për qenien ose jo si kryetare e këshillit bashkiak, pasi me iniciativën time personale të mirë menduar, po jap dorëheqjen e parevokueshme për arsye personale, duke qëndruar thjesht si anëtare e këtij këshilli nga forca politike që më ka zgjedhur.
Ju falënderoj të gjithëve për besimin që më keni dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Me respekt
Antoneta Cunaj
Fier, më 30.04.2026




