Punimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po avancojnë me ritme të shpejta, ndërsa projekti po hyn në fazat e tij përmbyllëse.

Sipas zhvillimeve më të fundit në terren, kanë përfunduar portat hyrëse dhe dalëse të terminalit, ndërsa po finalizohet edhe holli kryesor që do të presë pasagjerët.
Paralelisht, po vijon instalimi i pajisjeve të sigurisë, përfshirë skanerët dhe sistemet e kontrollit, elementë të domosdoshëm për funksionimin sipas standardeve ndërkombëtare të aviacionit civil.
Në ambientet e brendshme po kryhen edhe punimet përfundimtare, si sistemimet teknike dhe detajet me gips.
Një nga elementët që bie menjëherë në sy është dizajni modern i terminalit dhe përdorimi i ngjyrave kuq e zi në fasadë, duke i dhënë aeroportit një identitet të veçantë që lidhet me simbolikën kombëtare shqiptare.
Me përmasat që pritet të ketë, Aeroporti i Vlorës synon të jetë një nga projektet më të mëdha aeroportuale në vend dhe një portë e rëndësishme hyrëse për turizmin dhe ekonominë e jugut.
Pas përfundimit të punimeve, aeroporti do t’i nënshtrohet procesit të certifikimit për kryerjen e fluturimeve dhe më pas pritet të hapë zyrtarisht operimet.




