Plagosje me thikë në Fier, zbardhet ngjarja – shpallet në kërkim autori i dyshuar
Është zbardhur ngjarja e ndodhur pak orë më parë në lagjen “15 Tetori” në Fier, ku mbeti i plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasi Eldi Gremi, 35 vjeç.
Sipas Policisë, i dëmtuari është paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Fier, ndërsa dyshohet se është plagosur gjatë një konflikti. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë nisur veprimet për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, edhe pse i plagosuri nuk ka bashkëpunuar, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar.
Në kërkim është shpallur shtetasi Albi Kajolli, 25 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me thikë në pjesën e barkut 35-vjeçarin.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.




