Shkencëtarët japonezë po krijojnë ilaçin që mund t’ju rrisë dhëmbë të rinj

Në Japoni, kompania biofarmaceutike Toregem Biopharma, e financuar nga Universiteti i Kiotos, po zhvillon një ilaç që mund të ndihmojë njerëzit me humbjen e dhëmbëve.
Rruga drejt këtij zbulimi filloi në vitin 2007, kur një ekip shkencëtarësh zbuloi se mungesa e gjenit USAG-1 tek minjtë çonte në zhvillimin e dhëmbëve shtesë. Kjo i çoi studiuesit në hipotezën se bllokimi i proteinës USAG-1 me një ilaç mund të aktivizonte rigjenerimin e dhëmbëve edhe te njerëzit me probleme që në lindje ose që kishin pasur probleme me zhvillimin e dhëmbëve.
Fillimisht, ekipi testoi antitrupa kundër USAG-1 te minjtë dhe më pas zhvilloi antitrupa të humanizuar anti-USAG-1, të cilët treguan sukses në stimulimin e rritjes së dhëmbëve te minjtë dhe qentë.
Sipas raportimeve të The Japan Times, ilaçi është testuar gjithashtu te nuselalat, me rezultate të ngjashme pozitive.
Aktualisht, ilaçi po hyn në fazën e provave klinike te njerëzit.
Në fazën e parë, këtë vit, po testohet tek të rriturit e shëndetshëm për të vlerësuar sigurinë e tij. Në fazën pasuese, pritet të testohet te fëmijët nga 2 deri në 6 vjeç që kanë lindur pa disa ose të gjithë dhëmbët e përhershëm.
Nëse këto prova rezultojnë të suksesshme, ilaçi mund të miratohet dhe të përdoret në të ardhmen në stomatologji në mbarë botën.




