Sukses i veçantë për një të ri nga Ballshi: Ledion Troka fiton të drejtën për studime në SHBA

Ballsh – Një arritje e veçantë akademike vjen nga Ledion Troka, ish-nxënës i shkollës 9-vjeçare “5 Shkurti” në Ballsh dhe maturant i shkollës “Turgut Özal”, i cili ka siguruar pranimin dhe bursa në disa universitete prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas një rruge të suksesshme studimesh dhe rezultateve të shkëlqyera akademike, Ledioni ka fituar të drejtën për të vijuar studimet në SHBA, duke kurorëzuar përkushtimin, punën e palodhur dhe ambicien e tij të vazhdueshme për të arritur më të mirën.
Ndër arritjet më të spikatura të tij veçohen pranimi në Clark University (SHBA) në degën Pre-Med me Presidential Scholarship dhe pjesëmarrja në Honors Program, si dhe pranimi në DePauw University (SHBA) në degën Pre-Med, ku është vlerësuar me Presidential Excellence Scholarship dhe si Science Research Fellow.
Gjithashtu, Ledion Troka ka siguruar pranime edhe në 9 universitete të tjera në SHBA, duke dëshmuar një profil të lartë akademik dhe një performancë të jashtëzakonshme në procesin e aplikimeve ndërkombëtare.
Kjo arritje është pritur me krenari nga mësuesit e shkollës “5 Shkurti”, dhe komuniteti, të cilët e cilësojnë Ledionin si një shembull frymëzimi për të rinjtë, duke treguar se me punë, disiplinë dhe ambicie, ëndrrat më të mëdha bëhen realitet.





