Meshkujt nuk lejohen! Plazhi “sekret” për gratë që po habit botën

Dubai ka inauguruar plazhin e parë në botë të dedikuar ekskluzivisht për gratë, një projekt që synon të ofrojë privatësi maksimale dhe ambiente moderne për pushim, sport dhe argëtim.
Plazhi ndodhet në zonën Al Mamzar dhe është pjesë e projektit madhor “Al Mamzar Beaches Initiative”, i zhvilluar në kuadër të planit urbanistik “Dubai 2040”.
Zona është plotësisht e izoluar dhe me hyrje të kontrolluara, ndërsa i gjithë personeli përbëhet vetëm nga gra, përfshirë rojet e sigurisë dhe ekipet e shpëtimit në det. Për të garantuar privatësinë e vizitoreve, autoritetet kanë ndaluar përdorimin e kamerave dhe pajisjeve regjistruese.
Gratë mund të frekuentojnë plazhin së bashku me fëmijët e tyre, por djemtë mbi moshën gjashtë vjeç nuk lejohen. Meshkujt ndalohen plotësisht në këtë hapësirë.
Një nga risitë më të mëdha të këtij kompleksi është mundësia për not 24 orë në ditë, përfshirë edhe natën, nën monitorimin e vazhdueshëm të ekipeve të shpëtimit. Zona është e pajisur me ndriçim modern, pika emergjence dhe kulla vrojtimi.
Kompleksi përfshin gjithashtu pista për biçikleta dhe vrap, fusha padeli, palestra në ambiente të hapura dhe aktivitete ujore si jet ski, kajak dhe paddle boat. Vizitorët kanë në dispozicion edhe restorante, kafene buzë detit, zona pikniku dhe kabina me ajër të kondicionuar.
Ndërkohë, Dubai vijon me projektet ambicioze turistike dhe ekonomike. Autoritetet kanë paralajmëruar edhe ndërtimin e “rrugës së parë prej ari” në zonën e re “Dubai Gold District”, si pjesë e strategjisë për të forcuar imazhin e qytetit si “Qyteti i Arit”.




