Operacioni për ndërtimet pa leje/ Lamallari për arrestimet në Sarandë: Zero tolerancë ndaj policëve që bashkëpunojnë me krimin

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallarika reaguar pas operacionit të zhvilluar në Sarandë, për ndërtimet pa leje, ku u arrestuan drejtues dhe punonjës policie të dyshuar për bashkëpunim me shkelës të ligjit.
Në një reagim në Facebook, Lamallari theksoi se në Policia e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për persona që abuzojnë me detyrën apo bashkëpunojnë me elementë kriminalë.
Ai përshëndeti operacionin e realizuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, duke e cilësuar si një provë të vullnetit për pastrimin e radhëve të policisë nga elementë që cenojnë ligjin dhe besimin e qytetarëve.
“Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe do të përballen me drejtësinë”, u shpreh ministri.Lamallari paralajmëroi se do të ketë “zero tolerancë” ndaj çdo rasti abuzimi, që nga mosveprimi përballë ndërtimeve pa leje deri te kompromiset me elementë kriminalë.
Në fund të reagimit të tij, ai përgëzoi lidershipin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit, duke theksuar se “nuk do të ketë asnjë hap mbrapa” në luftën kundër paligjshmërisë.
Reagimi:
Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë.
E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.
Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.
Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë.
Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!




