Përplasje mes dy firmave në Aeroportin e Vlorës, bllokohet hyrja e punëtorëve – policia shoqëron përfaqësuesit në komisariat
Një situatë tensioni është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, ku është shënuar një përplasje mes dy kompanive të përfshira në punimet e aeroportit.
Sipas informacioneve paraprake, përfaqësues dhe punonjës të njërës prej firmave kanë penguar hyrjen e punëtorëve të kompanisë tjetër në kantier, duke mos i lejuar të vijojnë aktivitetin normal të punës.
Mësohet se palët ndodhen në një proces gjyqësor, ndërsa sipas pretendimeve të bëra, firma nënkontraktore e lidhur me Valon Ademi ka bllokuar hyrjen e punonjësve të kompanisë së Ismet Pacolli.
Nga ana tjetër, kompania e penguar pretendon se gëzon të drejtën ligjore për të ushtruar aktivitetin në projekt, ndërsa pala kundërshtare argumenton se hyrja në kantier është e paautorizuar.
Për shkak të situatës së krijuar, policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar në komisariat përfaqësues të të dy firmave për të kryer ballafaqimin dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.




