Policia e Shtetit përfiton pajisje moderne nga Mbretëria e Bashkuar, donacion prej 200 mijë paundësh

Policia e Shtetit ka përfituar një donacion me pajisje të teknologjisë bashkëkohore nga Zyra e Operacioneve Ndërkombëtare e Ministrisë së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar (HOIO), në kuadër të forcimit të kapaciteteve operacionale dhe hetimore të strukturave ligjzbatuese në vend.

Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, Menaxherja Rajonale e HOIO, Tara Moore, Menaxheri Ndërkombëtar Ndërlidhës i HOIO, Stephen Law, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të strukturave përfituese.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori Hita vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë dhe e cilësoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar si një model të konsoliduar që ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ai theksoi se donacione të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve parandaluese, goditëse dhe hetimore të Policisë së Shtetit, duke mundësuar identifikimin më të shpejtë të risqeve, avancimin e kontrolleve kufitare, rritjen e efikasitetit të analizës dhe hetimit policor, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.

Nga ana e saj, Tara Moore konfirmoi angazhimin e agjencive britanike për të vijuar mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, përmes asistencës teknike, logjistike dhe shkëmbimit të praktikave më të mira profesionale, me synim rritjen e efektivitetit operacional dhe forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese.

Donacioni, me një vlerë totale prej rreth 200 mijë paundësh, përfshin pajisje moderne teknologjike që do të përdoren nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, si dhe Njësia e Informacionit të Pasagjerëve, me qëllim rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.




