Muzeu Historik Fier organizon aktivitete të shumta në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Muzeu Historik Fier ka organizuar një sërë aktivitetesh të larmishme me fokus muzeologjinë, historinë dhe trashëgiminë kulturore, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe dashamirësve të kulturës.
Sipas drejtuesit të këtij institucioni, Ilirjan Gjika, aktivitetet e kësaj dite u paraprinë nga një bashkëpunim me qendrën muzeore të Beratit. Në këtë kuadër u çel edhe ekspozita “Thesare të Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri”, e cila solli për publikun një përzgjedhje të veçantë ikonash dhe veprash të artit ikonografik shqiptar. Ekspozita paraqiti punime të mjeshtrave të mëdhenj të ikonografisë shqiptare, si Onufri, Nikolla, Onufër Qiprioti dhe David Selenica, duke ofruar një pasqyrë të pasur të vlerave artistike dhe historike të vendit.
Ndërkohë, nën moton e këtij viti “Java e Muzeve”, u zhvillua edhe cikli i leksioneve të hapura “Muzeu si laborator i historisë në shkollë”, një aktivitet i konceptuar për të afruar më shumë të rinjtë me historinë dhe për të nxitur përdorimin e muzeut si një hapësirë edukimi dhe njohjeje.
Ndër tetë pavionet e Muzeut Historik Fier, pavioni i arkeologjisë mbetet më i vizituari. Sipas arkeologut Bashkim Vrekaj, pasuria e objekteve të ekspozuara dëshmon lashtësinë dhe vazhdimësinë e jetës në qarkun e Fierit, i cili konsiderohet si një nga zonat më të pasura të Shqipërisë për trashëgiminë arkeologjike.
Ai ka theksuar se pavioni i arkeologjisë u jep mundësi vizitorëve të marrin informacion të plotë mbi qytetet antike të Bylisit dhe Apollonisë, edhe pa qenë e nevojshme t’i vizitojnë ato fizikisht.
Ashtu si pavionet e tjera të muzeut, edhe sektori i arkeologjisë pasurohet herë pas here me objekte dhe prurje të reja, duke e bërë atë gjithnjë e më tërheqës dhe më të larmishëm për publikun.




