Nuk iu bind policisë, humb kontrollin me “Porsche” dhe përplaset me dy automjete në qendër të Fierit
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar pak minuta më parë në qendër të Fierit. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i një automjeti tip “Porsche”, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, nuk i është bindur urdhrit të një patrulle policie për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet.
Gjatë lëvizjes, ai dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me dy automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pas aksidentit drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet, madje ka hequr edhe targën e automjetit për të shmangur identifikimin. Ndërhyrja e disa qytetarëve që ndodheshin pranë, së bashku me reagimin e shpejtë të patrullës së policisë, bëri të mundur ndalimin dhe neutralizimin e tij.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa në zonë ndodhen forca të shumta policie që po kryejnë kontrolle dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.




