Pacolli akuza Policisë së Shtetit: Po pengohen specialistët dhe punonjësit në vendet e tyre të punës

Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli ka reaguar për situatën e krijuar në Terminal, duke ngritur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit për mënyrën e veprimit ndaj punonjësve dhe specialistëve.
Sipas Pacollit, prej katër ditësh me radhë, punëtorë, inxhinierë dhe profesionistë shqiptarë e të huaj po përballen me pengesa për të hyrë në vendet e tyre të punës. Ai pretendon se ndaj tyre janë ushtruar presione, fyerje dhe kërcënime, duke e cilësuar situatën si një tejkalim të kompetencave ligjore.
Pacolli thekson se mes personave të prekur ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët sipas tij po qëndrojnë në konviktin e punëtorëve të Mabcos, me lëvizje të kufizuara dhe në kushte që ai i përshkruan si shqetësuese.

Në reagimin e tij, ai shprehet se Policia e Shtetit nuk duhet të përdoret si mjet presioni ndaj profesionistëve dhe punonjësve që kërkojnë të ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa kërkon sqarim të menjëhershëm institucional dhe ndërhyrje për zgjidhjen e situatës.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura nga Pacolli.





