Fieri në zi për ndarjen nga jeta të mësueses Donika Çuçalla Tavanxhiu

Qyteti i Fierit është zgjuar me një lajm të trishtë pas ndarjes nga jeta të Donika Çuçalla Tavanxhiut, mësuese e përkushtuar dhe një figurë e njohur e komunitetit. Largimi i saj ka sjellë dhimbje dhe pikëllim te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën nga afër.
Donika Çuçalla Tavanxhiu kujtohet si një grua e respektuar, një mësuese e përkushtuar ndaj brezave që edukoi dhe një nënë e dashur për familjen e saj. Ajo i bashkohet në amshim edhe bashkëshortit të saj të ndjerë, Met Çuçalla, i cili humbi jetën vite më parë në një aksident tragjik.
Në mesazhet e ndarjes nga jeta, ajo është përshkruar me fjalë prekëse: “Sot po përcjellim me trishtim për në parajsë një zonjë të nderuar, një mësuese të përkushtuar, një nënë të dhembshur… Donika Çuçalla Tavanxhi iku përgjithmonë pas një sëmundjeje të rëndë dhe të pashërueshme”.
Ngushëllime janë shprehur për vajzat e saj, Morena dhe Tina, si dhe për të gjithë familjarët, ndërsa Donika Çuçalla Tavanxhiu do të kujtohet si një zonjë e dashur dhe e respektuar nga komuniteti fierak.




