AKTUALITETSTAR CHANNEL

35-vjeçari nga Fieri përballet me sklerozën multiple, apel për ndihmë dhe mbështetje: “Me 5 mijë lekë në muaj nuk blej dot as ilaçet”

Në lagjen Sheq i Madh të Fierit, 35-vjeçari Saimir Jakuza po përjeton prej katër vitesh një betejë të vështirë me sëmundjen e sklerozës multiple, një sëmundje kronike që i ka ndryshuar tërësisht jetën dhe i ka kufizuar çdo ditë e më shumë aftësinë për të lëvizur dhe për të kryer aktivitetet më të zakonshme të përditshme.

Reklama në FieriWeb - "ARGJENDARI ILIA"

Saimiri tregon se prej momentit kur u diagnostikua me këtë sëmundje, gjendja e tij shëndetësore ka ardhur duke u rënduar vazhdimisht. Pavarësisht kontrolleve të shumta mjekësore dhe trajtimeve të ndjekura në spital, ai shprehet se përmirësimet kanë qenë të pakta, ndërsa vështirësitë për të ecur janë shtuar me kalimin e kohës.

Reklama në FieriWeb - “PIZZA ITALIA FIER”

Sipas dokumentacionit dhe raporteve mjekësore, 35-vjeçari nuk është në gjendje të kryejë asnjë lloj pune, për shkak të gjendjes së tij fizike. Megjithatë, ndihma ekonomike që ai përfiton aktualisht është vetëm 5 mijë lekë në muaj, shumë që sipas tij nuk mjafton as për të përballuar shpenzimet e medikamenteve që i nevojiten.

Reklama në FieriWeb - "Oazi i Pishave"
Reklama në FieriWeb - “PAVILION LIQENI”

Në gjendje të rënduar fizike dhe emocionale, Saimiri shprehet se çdo ditë për të është kthyer në një sfidë të vazhdueshme, pasi nuk mund të lëvizë pa ndihmë dhe ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm.

Reklama në FieriWeb

“Jam në gjendje shumë të rëndë. Nuk mund të eci dot dhe as të punoj. Me 5 mijë lekë në muaj nuk blej dot ilaçet. Me çfarë do ushqehem? Kam nevojë për kujdestari. Babai im është i sëmurë nga zemra, ndërsa e vetmja shpresë në familje është nëna, e cila punon ku të mundet për të siguruar pak të ardhura”, shprehet ai.

Edhe familjarët tregojnë se gjendja e tij kërkon trajtim të vazhdueshëm, kujdes të përhershëm dhe mbështetje më të madhe ekonomike. Sipas të atit, djali i tij nuk mund të lëvizë i vetëm dhe shpesh herë është rrëzuar, duke pësuar dëmtime të ndryshme fizike.

Familja Jakuza jeton në kushte të vështira ekonomike, në një banesë të amortizuar dhe me të ardhura minimale. Përballë kësaj situate, ata shprehen se po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet e ilaçeve, trajtimeve dhe nevojave bazë të jetesës.

Në këto rrethana, familjarët i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të verifikojnë dhe rivlerësojnë rastin e 35-vjeçarit, me shpresën se ai mund të përfitojë një mbështetje më të madhe sociale dhe ekonomike, që do t’i mundësonte trajtimin e nevojshëm dhe kushte më dinjitoze jetese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button