Rama: takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Bruksel, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të zhvillojë një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz, gjatë ditës së nesërme në Bruksel, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian.
Deklarata u bë gjatë fjalës së tij në aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Durrës, ku Rama theksoi se në këtë proces dhe në takimet e nivelit të lartë do të jenë të përfshirë edhe përfaqësues të Gjermanisë.
Sipas kryeministrit, Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel përfaqëson një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa prania e aktorëve kryesorë europianë, përfshirë Gjermaninë, tregon mbështetjen për procesin e integrimit.
Në të njëjtën fjalë, Rama shfrytëzoi rastin për të kritikuar opozitën, duke iu referuar protestave të mëparshme dhe përdorimit të flamujve të huaj në tubime, përfshirë flamujt e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Arritën deri në pikën që nxorën flamujt e Gjermanisë në bulevard. Kishim parë flamujt e Amerikës, kur thonin: ‘Amerika është me ne’. Këtej molotovët, këtej flamujt e Gjermanisë dhe mbushën dynjanë që Gjermania na ka ndëshkuar. Nesër në Bruksel janë të gjithë, është edhe Gjermania. Pas disa ditësh do t’ju sjell një informacion të detajuar nga takimi që do kem me kancelarin e Gjermanisë,” u shpreh Rama.
Kryeministri nuk dha detaje të mëtejshme mbi temat konkrete të takimit, por la të kuptohet se diskutimet do të fokusohen në zhvillimet e procesit të integrimit europian dhe marrëdhëniet dypalëshe.




