Arrestohet në Spanjë Kevin Margjoni, i kërkuar për laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit

Në kuadër të një bashkëpunimi ndërkombëtar mes Interpol Tirana dhe autoriteteve policore në Madrid, është bërë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit shqiptar Kevin Margjoni, 49 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Sipas informacioneve zyrtare, arrestimi është kryer në Spanjë me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku ndaj tij rëndon një masë sigurie “Arrest në burg” e caktuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Margjoni akuzohet për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), 49-vjeçari dyshohet si një nga personat e përfshirë në aktivitetin e laboratorit të kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit, një prej goditjeve më të bujshme të strukturave të hetimit të krimit të organizuar në vend.
Autoritetet shqiptare dhe ato spanjolle vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.




