Ervin Salianji: Referendumi i Berishës ishte farsë, “nuk votuan as 5 mijë demokratë” në Fier 220 votues

Ervin Salianji ka hedhur akuza të forta ndaj procesit të referendumit të zhvilluar nga Sali Berisha, duke pretenduar se pjesëmarrja reale ka qenë shumë më e ulët nga ajo e deklaruar zyrtarisht nga Partia Demokratike.
Sipas Salianjit, të dhënat dhe materialet filmike që ai pretendon se disponon tregojnë se pjesëmarrja e anëtarëve demokratë nuk ka qenë 80%, por as 10%.
“Ditën e shtunë nuk kanë votuar as 5 mijë anëtarë demokratë”, deklaroi ai.
Ai publikoi edhe shifra që sipas tij pasqyrojnë pjesëmarrjen në disa degë të PD-së:
- Korçë: 165 votues
- Dibër: 194 votues
- Lezhë: 345 votues
- Elbasan: 256 votues
- Berat: 141 votues
- Vlorë: 210 votues
- Fier: 220 votues
- Shkodër: 471 votues
Salianji u ndal veçanërisht te dega e Durrësit, ku pretendoi se ka prova filmike për manipulime të procesit.
“Video e parë që po ju tregoj është nga dega Durrës. E dinin që po filmoheshin dhe prap manipuluan. Kemi shifrat nga Durrësi, Korça dhe degët e mëdha. Në degët e vogla kanë bërë manipulim edhe më të madh, sepse aty ka pak anëtarë dhe kanë nxjerrë shumë votues”, tha ai.
Më tej, Salianji deklaroi se përjashtimi i tij nga gara lidhej me frikën nga përballja elektorale, duke pretenduar se i kishte propozuar Berishës heqjen e të ashtuquajturit “neni Basha”, për të zhvilluar një garë të hapur mes kandidatëve.
“Sali Berisha në garë me kandidat do të humbiste. Kjo ishte frika e tij. 80% e demokratëve i ka kundër. Ndaj më përjashtoi dhe skualifikoi çdo kandidat të mundshëm”, u shpreh ai.
Megjithatë, Salianji tha se nuk do të ndjekë rrugën gjyqësore dhe as nuk ka ndërmend të krijojë një parti të re politike, por paralajmëroi përballje politike në terren.
“Kjo është e thjeshtë. Unë s’dua t’i hap PD-së një tjetër proces gjyqësor. Do të përballem politikisht. Të premten do të mbledh demokratët në Tiranë, jo më në sallë, por në shesh, sepse s’ka më sallë që mban demokratët”, deklaroi ai.




