Shqiptari nga Fieri, Kastriot Cenko para gjykatës: kërkon falje dhe rrëfen versionin e tij për vrasjen e bashkëshortes në Greqi

Vijon në Greqi procesi gjyqësor ndaj Kastriot Cenkos, 42 vjeç, me origjinë nga Fieri, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2024 në zonën e Ampelokipit në Athinë.
Gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës së Përzier me Juri, i pandehuri ka kërkuar falje dhe ka deklaruar se veprimi i tij ka ardhur pas një periudhe të gjatë konfliktesh familjare. Ai pretendoi se marrëdhënia me bashkëshorten kishte qenë e tensionuar prej kohësh dhe se kishte dyshime për një lidhje jashtëmartesore të saj.
Sipas dëshmisë së tij në sallën e gjyqit, ngjarja ka ndodhur pas një debati të fortë mes çiftit, ku sipas tij situata ka dalë jashtë kontrollit kur bashkëshortja i ka thënë se do të largohej nga banesa së bashku me fëmijët. Ai pretendoi gjithashtu se ka pasur dyshime mbi atësinë e fëmijës më të vogël, duke thënë se kjo ka ndikuar në gjendjen e tij emocionale në momentin e ngjarjes.
Cenko ka pranuar para gjykatës se e ka goditur bashkëshorten me çekiç, ndërsa tha se më pas ka tentuar t’i japë ndihmën e parë, por pa sukses. Ai shtoi se trupi i viktimës fillimisht është mbajtur brenda banesës dhe më pas është zhvendosur në një pjesë tjetër të saj.
Në dëshminë e tij, i pandehuri ka mohuar se ka pasur plan për të fshehur ngjarjen, duke deklaruar se ka qenë ai që ka njoftuar autoritetet dhe ka treguar vendndodhjen e trupit dhe të mjetit të përdorur në krim. Ai gjithashtu tha se nuk ka tentuar të arratiset, por ka vazhduar jetën normalisht deri në ndërhyrjen e policisë.
Nga ana tjetër, sipas dosjes hetimore, autoritetet greke theksojnë se veprimet pas ngjarjes, përfshirë mënyrën e mbështjelljes dhe fshehjes së trupit, bien ndesh me pretendimin se nuk ka pasur përpjekje për të mbuluar krimin.
Prokuroria vijon të mbajë qëndrimin se i pandehuri ka përgjegjësi penale të plotë për ngjarjen, ndërsa mbrojtja e tij këmbëngul në rrethanat emocionale dhe konfliktet familjare si faktorë që kanë ndikuar në veprimet e tij.
Procesi gjyqësor pritet të vijojë në seancat e ardhshme.




