Aksident fatal në Lushnjë, 43-vjeçari humb jetën pasi makina doli nga rruga dhe u përmbys

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lushnjë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:30 në rrethrrotullimin e Plasmasit, ku një automjet ka dalë nga rruga, është përplasur me ishullin e trafikut dhe më pas është përmbysur.
Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti është shkatërruar pothuajse tërësisht, ndërsa drejtuesi i tij, një 43-vjeçar nga Karbunara e Vogël, ka humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë, megjithatë hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike. Në vendngjarje u konstatua se 43-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e fortë.




