Rama: Investimi në Zvërnec do jetë bekim për ekonominë e Shqipërisë

Menjëherë pas përfundimit të takimit me banorët e Zvërnecit, ku diskutoi në lidhje me projektin që parashikohet të zhvillohet në atë zonë dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve të tyre, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një miting më socialistët e Vlorës.
Mitingu u mbajt në sheshin “Flamuri” të qytetit bregdetar në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të PS.
Rama tregoi se ka ardhur nga Tivati, duke thënë se një vend me 10 mijë banorë, sot pret 5 milionë turistë.
Ai tha se kjo vjen vetëm falë projektit turistik që u zhvillua. Kryeministri tregoi se investitorët në Tivat erdhën dhe në Shqipëri, por se nuk u mirëpritën.
“Erdha nga Tivati i Malit të Zi sot dhe një moment e ndryshon fatin e një vendi. Kam menduar sesi një vendim mund të ndikojë shumë në ardhmërinë e një shteti. Tivati është vend i bukur, por Vlora si Tivati e ka çdo gji të saj. Të gjithë e quanin një bregdet të nivelit të ulët. Erdhën në Shqipëri ata që transformuan Tivatin, që sot ka 5 mln turistë në vit, edhe pse ka 10 mijë banorë.
Erdhën investitorët në Shqipëri diku nga viti 2009 a 2010 dhe gjetën këtu derën e mbyllur. Donin të bënin Portin e Durrësit. Një burrë nga Kanadaja, që u detyrua të ikë, sepse donte ta bënte në Durrës investimin e tij. Projekti do transformonte Shqipërinë. Nuk e bëri në Shqipëri, por e bëri në Tivat. Në Port dhe rreth portit u rrit vlera e tokës jashtëzakonisht shumë. Është vend i bukur Tivati, por nuk krahasohet me Shqipërinë që ka lumenj pa fund e dy dete”, tha Rama.
Më tej, deklaroi se investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë e Shqipërisë.
“Investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë jo vetëm për Vlorën. Investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë e gjithë vendit. Ky vend është vetëm i juaji i thoshte Hitleri gjermanëve. Dhe ju e dini shumë mirë sesi mbaroi historia. Kush flet kundër të huajve, do të thotë të zgjosh instikte tepër të errëta të racizmit.
Shqipëria kishte vetëm shqiptarë, por populli mori malet. Shqiptarët për Shqipërinë dhe jo Shqipëria e shqiptarëve. Populli ngec kur udhëhiqet nga delirantë dhe jo nga ata që ëndërrojnë që ky vend të bëhet. Shqipëria ka nevojë për respekt, edhe për zërin e hoxhës, edhe për zërin e priftit dhe për zërin e lëkurën e kujtdo, që Zoti ka vendosur ta lindë në Izrael, Brazil, SHBA etj”, u shpreh Rama.
Foli edhe për kritikat, që i bëhen projektit të Zvërnecit.
“Një pjesë e kanë me babanë dhe vjehrrin e atyre që duan të bëjnë investimin në Shqipëri. Kemi delirantët dhe sharlatanët dhe thonë që Shqipëria është e shqiptarëve. Thonë se këto resortet do sjellin të huajt, sepse duan t’i paguajnë për një copë bukë. Ndërkohë, që në hotelet e Vlorës dhe në bregdetin Jon, pagat janë njësoj ose më të larta se në Greqi. Shqipëria në fakt është përdhunuar shumë përpara se ne të vijmë në pushtet. Ata bënë një çorape të madhe, sa paguajmë pasojat e atij çorapit.
Ato pislliqe që kanë bërë këta me pronat, ne nuk i kemi bërë kurrë. Kur na thanë për investime në Sazan, ju kemi thënë se ishulli është tokë e pronë e popullit shqiptar. Ju kemi thënë se mund të investoni, çdo tullë që vendosni ju është e juaja, ama ishulli është i shqiptarëve. Vetëm një PIN ka kodi i së ardhmes së Shqipërisë: Partia Socialiste”,u shpreh Rama.
Foli edhe për protestuesit. Rama u shpreh se është absurde, që protestuesit madje kanë edhe si kusht ikjen e qeverisë.
“Këto kërkojnë që unë të iki. Kanë këtë si kusht të parë. Më thonë ata që kam afër, që t’i marrim me të mirë këta honxho-bonxho. Ne në 2030 do të hyjmë në BE. Ne kemi bërë për Vlorën dhe Shqipërinë. Është koha këtu të vijë para e madhe. Me çfarë do i shtoni investimet? Këta janë komplet tullë.
Ata që kanë merakun e mjedisit, unë i respektoj. I respektoj deri në njëfarë kohe. Nëse ta thonë shpesh, që për Zvërnecin është krijuar një skuadër me arkitektë ndër më të mirët e botës, me inxhinierët më të mirë të botës dhe ti vijon, ‘anulo projektin’ dhe ‘anuloje projektin’. Çfarë projekti? Nuk ka ardhur projekti. Kompania është superfuqi në botë. Në Vlorë ke gjithçka. Ata që vunë gardhin në Zvërnec, pika që nuk iu bie. Ne duam Shqipërinë europiane dhe do ju çojmë në BE”, përfundoi Rama.
Siç mësohet nga Klan News, kryeministri Edi Rama në një intervistë me një gazetar italian ka bërë një deklaratë “bombastike”.
Gazetari e ka pyetur se mos ndoshta me projektin e Zvërnecit, është duke iu “përulur” liderëve botërorë. Rama i ka thënë gazetarit italian se ai i gjunjëzohet vetëm kryeministres së Italisë, Georgia Meloni.
“Jo, nuk i gjunjëzohem askujt. Unë i gjunjëzohem vetëm Georgia Melonit”, i ka thënë kryeministri-gazetarit italian.




