Gjetja e trupit të Eglant Koçit/ Dëshmia e shoferit të karrotrecit zbulon detaje të reja, zbardhen lëvizjet e “Mand Dhelprës”

Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e trupit të pajetë të Eglant Koçit, 34-vjeçarit të zhdukur prej datës 4 korrik, një çështje që konsiderohet ndër më prioritaret për Policinë e Tiranës.
Gjatë prezantimit të punës së policisë për muajin maj, drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, bëri me dije se kërkimet janë përqendruar në rrethinat e kryeqytetit, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe forca speciale nga Kosova.
Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e drejtuesit të karrotrecit, i cili ka deklaruar para hetuesve se, pasi dorëzoi automjetin në zonën e Ibës, nuk kishte më asnjë informacion se çfarë ndodhi me mjetin dhe as për atë që mund të ndodhej brenda tij.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të kryera në ambientet e zyrës ku dyshohet se është mbajtur Eglant Koçi, ekspertët kanë konstatuar gjurmë të mbetjeve të barutit. Tashmë priten rezultatet laboratorike, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Sipas informacioneve hetimore, kërkimet për gjetjen e trupit janë shtrirë në dy drejtime kryesore, duke përfshirë zonat përreth Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit.
Po ashtu, raportohet se i shumëkërkuari i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, 41 vjeç, dyshohet se ka ndryshuar të paktën gjashtë numra telefoni gjatë ditëve të fundit, në përpjekje për të shmangur lokalizimin nga autoritetet. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.




