Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimet e karburanteve, ja sa do të shiten nafta dhe benzina

Bordi i Transparencës ka vendosur sërish ndryshimin e çmimeve tavan të karburanteve në vend. Në mbledhjen e zhvilluar më 13 qershor 2026, u përcaktuan çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë për naftën dhe benzinën.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 183 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 171 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 170 lekë për litër në pakicë dhe 158 lekë për litër në shumicë.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, më 13 qershor, në orën 14:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të pasqyrohen ndryshimet e radhës në tregun e hidrokarbureve.
Autoritetet u kanë tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të zbatojnë detyrimisht këtë vendim, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, pra 100%, pasi çmimet e përcaktuara janë nën kufijtë prej 220 lekë/litër për gazoilin dhe 200 lekë/litër për benzinën.
Sa i përket gazoilit për peshkim, referuar përjashtimeve ligjore nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza, çmimi i tij rezulton të jetë 88 lekë për litër.




