Pamjet e aksidentit në Ksamil hedhin dyshime mbi komunikatën zyrtare të Policisë: Skafi i Policisë duket në lëvizje, jo i ndaluar siç u raportua

Aksidenti tragjik në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari A.K. pas përplasjes së jet ski-t që drejtonte me skafin e Policisë Kufitare, po shoqërohet me pikëpyetje të forta mbi versionin zyrtar të dhënë nga Policia e Shtetit.
Në komunikatën paraprake, policia deklaroi se mjeti lundrues i Policisë Kufitare ishte “i stacionuar (i ndaluar)” rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare, kur i riu u përplas me të si pasojë e lundrimit me shpejtësi.
Megjithatë, pamjet filmike të publikuara nga momenti i aksidentit duket se tregojnë se skafi i Policisë Kufitare ka qenë në lëvizje dhe jo i ndaluar, siç u raportua fillimisht nga autoritetet. Kjo mospërputhje mes komunikatës zyrtare dhe asaj që shfaqet në video ka ngritur reagime dhe kërkesa për më shumë transparencë mbi mënyrën se si është raportuar ngjarja.
Edhe pse hetimet mund të provojnë se drejtuesi i jet ski-t ka qenë duke lundruar me shpejtësi të lartë dhe mund të ketë përgjegjësi në shkaktimin e aksidentit fatal, mbetet e paqartë përse në njoftimin zyrtar u theksua se mjeti i Policisë Kufitare ishte i ndaluar, nëse pamjet sugjerojnë të kundërtën.
Tashmë pritet që hetimet e Prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të sqarojnë nëse skafi i Policisë ka qenë realisht i stacionuar apo në lëvizje në momentin e përplasjes, si dhe të përcaktojnë përgjegjësitë për ngjarjen që tronditi Ksamilin.
Komunikata e Policisë:
Ksamil, Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.




