Detaje të reja nga operacioni kundër pr*stitucionit në Fier, si u zbuluan dy motrat kolumbiane
Zbardhen detaje të reja nga operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, që çoi në arrestimin e dy shtetaseve kolumbiane, të dyshuara për ushtrim prostitucioni në qytetin e Fierit.
Sipas burimeve zyrtare, dy motrat kishin hyrë në Shqipëri duke përfituar nga regjimi pa viza dhe, për shkak të kohës së qëndrimit në vend, nuk kishin detyrim ligjor për t’u pajisur me leje qëndrimi apo leje pune.
Hetimet kanë zbuluar se ato kishin hapur një faqe në rrjetin social Instagram, ku reklamonin shërbimet e tyre duke përdorur termin “eskort në Fier”. Nga të dhënat e siguruara nga grupi hetimor rezulton se për shoqërim për një orë kërkonin rreth 120 euro, ndërsa për shërbime seksuale pagesa dyshohet se arrinte në rreth 50 euro.
Pas marrjes së informacioneve dhe sinjalizimeve, efektivët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve organizuan veprime hetimore dhe përdorën metoda të posaçme hetimi për të dokumentuar aktivitetin e dyshuar.
Pasi u siguruan provat e nevojshme, policia ndërhyri në banesën e marrë me qira, në një pallat në lagjen “Apollonia” në Fier, ku dyshohet se ushtrohej aktiviteti i paligjshëm, duke vënë në pranga dy motrat kolumbiane.
Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë. Ndërkohë, procedim penal është kryer edhe ndaj tre personave të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.




