Fier/ Vlerësohen me Certifikatën e Karrierës dy efektivë që mbyllën 40 vite shërbim në Policinë e Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka vlerësuar me Certifikatën e Karrierës dy punonjës të strukturave të DVP Fier, Nënkomisar Vasillaq Ziu dhe Nënkomisar Agron Nako, të cilët kanë përfunduar karrierën e tyre pas plot 40 vitesh shërbim në radhët e Policisë së Shtetit.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtori i DVP Fier, Drejtues Erion Ahmeti, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit, Kryekomisar Alket Ahmetaj, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u dorëzuan dy efektivëve Certifikatat e Karrierës me motivacionin: “Për kontributin e vyer të dhënë gjatë viteve të punës në radhët e Policisë së Shtetit.”

Përgjatë katër dekadave në shërbim, Vasillaq Ziu dhe Agron Nako janë dalluar për profesionalizëm, korrektësi dhe integritet, duke kryer detyrën me përkushtim dhe duke u kthyer në një shembull frymëzimi për kolegët dhe brezat e rinj të efektivëve të Policisë së Shtetit.
Në përfundim të ceremonisë, dy nënkomisarët shprehën mirënjohjen për vlerësimin e marrë dhe falënderuan drejtuesit e Policisë, ndërsa u uruan kolegëve të tyre suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit në shërbim të qytetarëve.




