Hita: Ka marrë fund “gjuetia” e gjobave, Policia kalon te monitorimi inteligjent

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se Policia ka hyrë në një fazë të re të monitorimit inteligjent të qarkullimit rrugor, duke lënë pas, sipas tij, kohën e “gjuetisë” së gjobave dhe ndalimeve pa shkak.
Në aktivitetin sensibilizues për sigurinë rrugore të zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, Hita tha se tashmë shkeljet do të evidentohen në kohë reale përmes teknologjisë moderne, pa ndërprerë trafikun dhe pa krijuar stres për drejtuesit korrektë të mjeteve.
“Koha e ndalimeve pa shkak apo e ‘gjuetisë’ së gjobave ka mbaruar. Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Nëpërmjet pajisjeve ‘Poliscan’, dronëve dhe radarëve automatikë evidentojmë shkeljet në kohë reale”, u shpreh ai.
Kreu i Policisë vuri theksin te ndërgjegjësimi i të rinjve dhe familjeve për respektimin e rregullave të qarkullimit, duke apeluar për vendosjen e rripit të sigurimit dhe shmangien e përdorimit të telefonit gjatë drejtimit të mjetit.
Sipas Hitës, edukimi i fëmijëve dhe nxënësve është kyç për krijimin e një kulture më të sigurt rrugore.
“Kur një fëmijë i thotë prindit ‘Vendos rripin!’ apo ‘Mos fol në telefon!’, ai mesazh vlen më shumë se dhjetëra gjoba”, deklaroi ai.
Hita foli edhe për sezonin turistik, duke bërë të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për menaxhimin e fluksit të automjeteve gjatë verës, me fokus të veçantë në akset bregdetare dhe turistike.
Ai theksoi se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët e drejtuesve të mjeteve, autoshkollave, institucioneve dhe qytetarëve, me synimin për të ulur aksidentet dhe për të shpëtuar më shumë jetë.




