Aksident në Elbasan, autobusi me sportistët e Fierit përplaset me tabelën e një karburanti pas goditjes nga një makinë

Një aksident rrugor ka ndodhur në Elbasan, ku është përfshirë autobusi që transportonte sportistët e grupmoshave të Fierit, të cilët po ktheheshin nga një turne sportiv në Maqedoninë e Veriut.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet që po kryente një manovër parakalimi ka goditur pjesën e përparme të autobusit. Si pasojë e përplasjes, autobusi ka devijuar nga trajektorja e lëvizjes dhe është përplasur me tabelën e një karburanti pranë rrugës.
Fatmirësisht, asnjë nga sportistët dhe personat që udhëtonin me autobus nuk ka pësuar lëndime. I vetmi person që ka mbetur i lënduar lehtë është drejtuesi i automjetit që u përfshi në aksident.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.




