Tensione në Aeroportin e Vlorës/ Kamionët e ‘2A Group’ të parkuar para kantierit, punonjësve të ‘Mabco’ i bllokohet hyrja

Tensionet në Aeroportin e Vlorës vijojnë edhe këtë të marte.
Në hyrjen kryesore të kantierit janë vendosur disa kamionë me logon e “2A Group”, duke bllokuar hyrjen e punonjësve dhe mjeteve të kompanisë “Mabco”. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se një prej kamionëve ishte pa targa, ndërsa të gjitha mjetet mbanin logon e kompanisë në pronësi të Valon Ademit.
Situata ka krijuar sërish tension mes palëve në konflikt, ndërsa në zonë janë angazhuar forca të policisë për të monitoruar zhvillimet dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Konflikti mes “Mabco” dhe “2A Group” për kontrollin dhe administrimin e aeroportit ka prodhuar prej javësh përplasje të vazhdueshme, duke ndikuar edhe në ecurinë e punimeve në aeroport. Sipas raportimeve, bllokimi i hyrjes me kamionë vjen në vazhdën e tensioneve të përsëritura mes dy kompanive.




