Homazhe në nder të Sotir Stefës, lamtumira e fundit për aktorin e skenës fierake
Mes dhimbjes dhe respektit të thellë, në Fier u mbajtën homazhe në nder të aktorit të mirënjohur Sotir Stefa, i cili me talentin dhe përkushtimin e tij i dha zë dhe jetë skenës së teatrit dhe humorit fierak për dekada me radhë.
Familjarë, miq, kolegë, artdashës dhe qytetarë të shumtë iu bashkuan ceremonisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare.
Në homazhe morën pjesë edhe artistë e miq të afërt të të ndjerit, mes tyre aktori i njohur Luftar Paja, Vasil Vaso, Xhulieta Kulla dhe shumë emra të tjerë të artit e kulturës, të cilët shprehën ngushëllimet për familjen Stefa dhe kujtuan me emocion bashkëpunimin dhe miqësinë me aktorin fierak.
Me largimin e Sotir Stefës, Fieri humbi një prej figurave më të dashura dhe më përfaqësuese të skenës artistike. Kontributi i tij në teatër dhe humor do të mbetet i paharruar, ndërsa kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë në zemrat e publikut dhe të brezave që e ndoqën, e vlerësuan dhe e duartrokitën ndër vite.




