Protestë në Kreshpan të Fierit për mungesën e ujit të pijshëm, banorët: Jemi të detyruar të mbushim ujë në burim
Dhjetëra banorë të fshatit Kreshpan, në njësinë administrative Cakran të Fierit, dolën sot në protestë për shkak të mungesës së ujit të pijshëm në banesa.
Sipas banorëve, prej ditësh çezmat janë të thata dhe ata detyrohen të sigurojnë ujë duke mbushur bidonë në burimin natyror të fshatit, i cili mbetet i vetmi burim furnizimi. Ata shprehin shqetësim edhe për faktin se pranë burimit janë vendosur kosha mbeturinash, duke ngritur dyshime për rrezikun e ndotjes së ujit.
Banorët deklarojnë se, megjithëse është kryer investim për një rrjet të ri ujësjellësi, furnizimi me ujë ende nuk është përmirësuar dhe askush nuk u ka dhënë një shpjegim të qartë për situatën. Sipas tyre, rreth 400 familje po përballen me të njëjtin problem, ndërsa ankesat e përsëritura nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete.
Nga ana tjetër, Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier e mohon problematikën e ngritur nga banorët. Përfaqësues të institucionit kanë deklaruar jashtë kamerave se banorët furnizohen me ujë për rreth 4 orë në ditë përmes linjës së vjetër, ndërsa rrjeti i ri i ujësjellësit ende nuk është vënë në funksion.




