Pas mbi 5 orësh operacion, shpëtohet turisti polak i bllokuar në Kanionin e Gjipesë

Pas më shumë se pesë orësh operacion intensiv kërkim-shpëtimi, rreth orës 23:30 u bë e mundur nxjerrja e turistit 30-vjeçar nga Polonia, i cili kishte mbetur i bllokuar në zonën e Kanionit të Gjipesë.
Në operacion u angazhuan forcat e Policisë së Shtetit, Delta Force, shërbimi zjarrfikës, si dhe alpinistë të specializuar, pasi terreni tepër i vështirë e bëri ndërhyrjen jashtëzakonisht të komplikuar.
Sipas informacioneve paraprake, 30-vjeçari, i cili ndodhej së bashku me të fejuarën e tij, kishte rënë në një greminë, duke e bërë të pamundur nxjerrjen pa ndërhyrjen e ekipeve të specializuara të shpëtimit.
Turisti ka pësuar dëmtime të rënda, kryesisht në brinjë dhe pjesë të tjera të trupit. Për shkak të relievit të thyer, helikopteri nuk ka mundur të afrohej për të realizuar evakuimin nga ajri.
Si pasojë, i plagosuri u transportua me barelë nga efektivët e Policisë së Shtetit, Delta Force dhe ekipet e shpëtimit deri në një zonë të aksesueshme, ku më pas u nis drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, 30-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.




