Aksident i rëndë në Kukës/ Makina del nga rruga dhe përfundon mbi një banesë, plagosen tre persona
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Kukës–Bicaj, ku një automjet tip Volkswagen ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një banese, duke përfunduar mbi çatinë e saj.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit, shtetasi T. C., si dhe dy pasagjeret, M. C. dhe Xh. A. Fillimisht ata morën ndihmën e parë në spitalin e Kukësit, ndërsa më pas u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.
Sipas burimeve spitalore, të tre të plagosurit ndodhen në gjendje të qëndrueshme, pavarësisht dëmtimeve të marra.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se automjeti ka fluturuar jashtë rrugës, duke goditur murin rrethues dhe më pas çatinë e banesës, ku janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si në mjet ashtu edhe në pronën e familjes.
Policia bëri me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:40, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.




