Aksident i rëndë në Lushnjë, fuoristrada përplas 76-vjeçarin me motoçikletë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të enjteje në aksin rural Pirrë–Kamçisht, në njësinë administrative Kolonjë, bashkia Lushnjë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë ka përplasur nga pas një motoçikletë, që drejtohej nga 76-vjeçari Minella Prençe, banor i fshatit Pirrë.
I moshuari është transportuar me urgjencë nga ambulanca drejt spitalit, ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të plagëve të marra.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë shoqëruar drejtuesin e fuoristradës, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Burime paraprake bëjnë me dije se 76-vjeçari nuk mbante kaskë mbrojtëse në momentin e aksidentit, çka dyshohet se ka ndikuar në rëndimin e dëmtimeve. Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i fuoristradës, megjithëse ka frenuar, nuk ka arritur të shmangë përplasjen me motoçikletën.




