Zbulohet “magazina” e kanabisit në Divjakë, sekuestrohen 44 kg dr*gë dhe asgjësohen 1,426 bimë narkotike
Një operacion i koduar “Koordinimi” i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, ka çuar në zbulimin e një ambienti të përshtatur për tharjen dhe përpunimin e kanabisit në zonën e quajtur “Rezervuari i Divjakës”.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 44 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, nga të cilat 37 kilogramë në proces tharjeje dhe 7 kilogramë në formë boçesh. Po ashtu, në të njëjtën zonë u konstatuan 1,426 bimë narkotike kanabis, ku një pjesë u asgjësuan në vend, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua si provë materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori, e cila nisi procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre punonjësve të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier:
- Edison Toromëni, 33 vjeç, përgjegjës sektori;
- Festim Hoxha, 37 vjeç, specialist menaxhimi;
- Gazmor Allka, 53 vjeç, roje.
Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Policia bën me dije se kontrollet nga toka dhe ajri, me dronë, do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Fier.




