Rrëzohet teksa kulloste bagëtitë, 69-vjeçari dërgohet me helikopter te Spitali i Traumës

Një 69-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është rrëzuar teksa kulloste bagëtitë në një zonë malore.
Sipas informacioneve paraprake, Ismet Domeri, banues në fshatin Shalës, dyshohet se ka humbur ekuilibrin për shkak të temperaturave të larta, duke u rrëzuar dhe pësuar dëmtime të rënda.
I moshuari është gjetur nga persona që ndodheshin pranë zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Fillimisht ai është transportuar në Spitalin e Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Mjekët kanë konstatuar se 69-vjeçari ka pësuar trauma të rënda në kokë dhe kraharor. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, është vendosur transportimi i tij me helikopter drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar.
Autoritetet vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.




