Dy kallëzime në Polici, por asnjë reagim deri sa videot pushtuan rrjetin? Nëna e 17-vjeçares në Fier, rrëfen kalvarin e vajzës së saj, kërkoi ndihmë në spital dhe denoncoi në polici. Ku ishin Policia, Spitali dhe Shërbimet Sociale?

Pavarësisht se familja e 17-vjeçares iu drejtua Policisë së Fierit menjëherë pas ngjarjes dhe, sipas nënës, u depozituan dy kallëzime, reagimi i autoriteteve erdhi vetëm pasi videot e dhunës u publikuan dhe u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagim të gjerë publik. Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u trajtua denoncimi në fazën e parë dhe nëse mund të ishte ndërhyrë më herët.
Sipas dëshmisë së familjes, kallëzimi në polici është bërë menjëherë pas ngjarjes. Megjithatë, lindin disa pyetje që kërkojnë një përgjigje zyrtare nga institucionet përgjegjëse:
- Pse rasti nuk u hetua me prioritet menjëherë pas kallëzimit?
- Nëse e mitura deklaroi se autorët “i kishin bërë video”, përse ky element nuk u hetua menjëherë dhe nuk u ndërmorën veprime për sigurimin e provave?
- Pse oficeri i policisë që mori dëshminë e vajzës nuk ndërmori veprime të menjëhershme hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes?
- Pse Spitali Rajonal i Fierit nuk njoftoi Policinë, kur një e mitur u paraqit e vetme për ndihmë mjekësore me shenja të dukshme dhune në fytyrë?
- Pse nuk pati një ndërhyrje të menjëhershme nga shërbimet sociale të Bashkisë Fier apo psikologët për t’i ofruar mbështetje vajzës dhe familjes së saj?
- Përse institucionet duket se reaguan vetëm pasi videot e dhunës u publikuan në rrjetet sociale dhe rasti mori përmasa të mëdha publike?
Nëna e 17-vjeçares ka folur për herë të parë publikisht, duke rrëfyer momentet e vështira që po kalon familja e saj pas ngjarjes. Ajo thotë se vajza vazhdon të jetë e traumatizuar dhe se jeta e tyre ka ndryshuar rrënjësisht.
Sipas saj, më 8 qershor, e bija kishte dalë si zakonisht për të ndjekur kursin e parukerisë. Familja po e priste të kthehej në shtëpi, por mori një telefonatë që e njoftonte se 17-vjeçarja ndodhej në spital, ku kishte shkuar e vetme për të marrë ndihmë mjekësore pas dhunës së ushtruar ndaj saj.
Kur mbërriti në spital, nëna pa menjëherë shenjat e dhunës në fytyrën e vajzës. Ajo kishte syrin dhe mjekrën të nxira, ndërsa flokët i kishte të çrregulluara. Fillimisht, 17-vjeçarja u përpoq ta minimizonte ngjarjen, por pas këmbënguljes së nënës shpërtheu në lot dhe tregoi gjithçka që kishte ndodhur.
Sipas dëshmisë së saj, një vajzë që e njihte sipërfaqësisht e kishte afruar pas daljes nga kursi duke i thënë: “Hajde me ne se kemi një surprizë.” Pa dyshuar për asgjë, ajo i kishte ndjekur, por pak çaste më vonë ishte dhunuar nga tre bashkëmoshatare.
Nëna tregon se e pyeti vajzën nëse kishte pasur ndonjë konflikt me to, por përgjigjja ishte mohuese. Sipas saj, e bija nuk kishte probleme me askënd dhe bënte një jetë të qetë mes shtëpisë dhe kursit.
Pas ngjarjes, familja iu drejtua Policisë së Fierit për të bërë kallëzimin, ndërsa e mitura mori edhe trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Sipas nënës, pasojat më të rënda nuk janë fizike, por psikologjike. Ajo shprehet se vajza vazhdon të jetojë me frikë, qan shpesh, dridhet, është mbyllur në vetvete dhe nuk është më e njëjta si përpara ngjarjes.
E pyetur për kërkimfaljen e bërë nga nëna e njërës prej vajzave të përfshira, ajo tha se e kupton dhimbjen e çdo prindi, por për momentin nuk ndihet në gjendje të falë.
“Vetëm unë e di sa po e vuaj këtë ngjarje. Qaj fshehurazi që të mos më shohin fëmijët. Kam një muaj që nuk fle gjumë dhe mendoj vetëm për vajzën time,” u shpreh ajo.
Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar nëse veprimet e ndërmarra nga autoritetet pas kallëzimeve fillestare kanë qenë në kohën dhe masën e duhur, një çështje që ka nxitur debat të gjerë pas publikimit të videove në rrjetet sociale.




