Marin Mema: Shqipëria të shpallë “non grata” zyrtarët serbë pas deklaratave për spastrimin etnik të shqiptarëve

Historiani dhe gazetari Marin Mema ka bërë thirrje që autoritetet shqiptare të shpallin persona të padëshiruar (“non grata”) ministren serbe të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviç, si edhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, pas deklaratave të tyre lidhur me shqiptarët e Kosovës.
Sipas Memës, deklaratat e Paunoviç, ku ajo është shprehur se shqiptarët në Kosovë në vitin 1998 duhej të ishin spastruar etnikisht, përbëjnë një shfaqje të hapur të antishqiptarizmit dhe gjuhës së urrejtjes. Ai kritikon gjithashtu Daçiçin, i cili doli në mbrojtje të ministres serbe dhe mbështeti qëndrimet e saj.
“Shqiptarët janë autoktonë në Dardani e kudo dhe këtë nuk e zhbën dot asnjë pasues ekstrem i Millosheviçit”, shkruan Mema, duke theksuar se historia dhe identiteti i shqiptarëve nuk mund të mohohen nga deklarata politike.
Ai vlerëson se, nëse reagimet ndërkombëtare kanë qenë të forta ndaj këtyre deklaratave, edhe institucionet shqiptare duhet të japin një përgjigje të qartë, duke i shpallur të dy zyrtarët serbë persona të padëshiruar.
Sipas Memës, kjo nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një detyrim moral ndaj viktimave shqiptare të luftës në Kosovë, të cilët ai i cilëson si “gjaku ynë shqiptar”.
Marin Mema:
Shqipëria të shpallë të padëshirueshëm antishqiptarët!
Shteti shqiptar duhet ta shpallë të padëshirueshme “non grata” jo vetëm ministren serbe të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, por edhe ZvKryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, i cili i doli në mbrojtje, duke thelluar e mbështetur pohimet ekstreme të saj.
Deklaratat e Paunoviç se shqiptarët në Kosovë, në vitin 1998, duhet të ishin spastruar etnikisht në formë të plotë, janë dëshmi e një antishqiptarizmi që vijon të kultivohet fort në qarqet politike nacionaliste serbe, një antishqiptarizëm që ushqehet me urrejtje dhe ekstremizëm.
Këto qëndrime mbeshteti edhe Daçiç duke mbrojtur nga reagimet ndërkombëtare, ministren Paunoviç. Sipas tij është normale të kërkohej largimi i shqiptarëve në vendin e tyre të origjinës, në Shqipëri. Pra numëri 2 i Qeverisë Serbe, Daçiç, i quan shqiptarët të ardhur në Kosovë… Dikush duhet ti kujtojë këtyre antishqiptarëve, se kur u dukën në këto territore me gjethe në vend të rrobave, ilirët kishin qytete të mëdha, kishin zhvillim, kishin qendra, kishin perandorë… Shqiptarët janë autoktonë në Dardani e kudo dhe këtë nuk e zhbën dot asnjë pasues ekstrem i kasapit gjakatar Millosheviç!
Në fakt askush nuk habitet, sepse qëndrimet e tyre njihen, por reagimi duhet të jetë i qartë dhe i menjëhershëm.
Nëse qarqet më të larta ndërkombëtare reaguan ashpër ndaj këtyre deklaratave, autoritetet tona duhet jo vetëm të reagojnë, por edhe ta shpallin të padëshirueshëm të dy këta antishqiptarë.
Jo vetëm sepse deklaratat e tyre janë kriminale, por edhe sepse ata njerëz që u vranë në Kosovë janë gjaku ynë: motrat, vëllezërit, nënat e baballarët, gjyshërit e gjyshet tona. Janë gjaku ynë shqiptar.




