Gazetarja ngre pikëpyetje mbi aksidentin tragjik ku humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti: “Pas aksidentit telefonoi vëllain dhe i kërkoi ndihmë”

Gazetarja Afrovita Hysaj ka ndarë detaje dhe ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën gazetari vlonjat Enrik Mehmeti.
Sipas saj, menjëherë pas aksidentit, Enrik Mehmeti ka arritur të telefonojë vëllain e tij, duke i kërkuar ndihmë. Ky detaj, sipas Hysajt, hedh dritë mbi momentet e para pas ngjarjes, por njëkohësisht lë ende shumë pyetje pa përgjigje.
Hysaj thekson se Enriku ishte një person që e donte aventurën dhe pjesën më të madhe të verës e kalonte duke lundruar në zonën e Sazanit dhe Karaburunit. Sipas saj, kjo e bën të kuptueshëm faktin që kishte zgjedhur të udhëtonte drejt Zvernecit me motor me katër rrota.
Megjithatë, gazetarja shpreh dyshime për rrethanat e asaj mbrëmjeje. Ajo ngre pikëpyetjen se përse Enrik Mehmeti ndodhej vetëm me 18-vjeçarin, ndërkohë që zakonisht udhëtime të tilla i bënte në shoqërinë e miqve të tij. Sipas Hysajt, edhe vëllai i gazetarit nuk kishte dijeni që Enriku do të nisej drejt Zvernecit pikërisht atë mbrëmje.
Deklaratat e gazetares sjellin një këndvështrim tjetër mbi ngjarjen, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen nga hetimet e autoriteteve.





